Tottenham shkarkon trajnerin Thomas Frank

Thomas Frank largohet nga Tottenham. Pas humbjes në shtëpi kundër Newcastle, trajneri i “Spurs” është shkarkuar nga detyra. Klubi londinez mban aktualisht vendin e 16-të në tabelën e klasifikimit, vetëm 5 pikë larg zonës së rënies nga Premier League.

Nuk mjaftoi ecuria e mirë në Champions League, ku Tottenham zuri vendin e 4-t, për të shpëtuar trajnerin Frank. Ai e kishte marrë drejtimin e skuadrës gjatë verës së kaluar.

“Klubi ka vendosur të bëjë një ndryshim në postin e trajnerit dhe Thomas Frank do të largohet. Thomas u emërua në qershor të 2025-ës dhe jemi përpjekur t’i japim kohën dhe suportin për të ndërtuar bashkë të ardhmen.

Megjithatë, rezultatet dhe paraqitja e skuadrës kanë bërë që klubi të arrijë në konkluzionin se është i nevojshëm një ndryshim. Gjatë gjithë periudhës në klub, Thomas ka pasur impenjim maksimal, duke dhënë gjithçka. Duam ta falënderojmë për kontributin dhe t’i urojmë suksese në të ardhmen”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit londinez në lidhje me largimin e trajnerit.