Derbi i kryeqytetit në ‘Air Albania’, Partizani nxjerr në shitje biletat

Partizani dhe Tirana do të përballen të dielën, më 15 shkurt, në derbin e shumëpritur të kryeqytetit. Sfida është programuar të nisë në orën 19:30 dhe do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, duke premtuar si gjithmonë emocione dhe rivalitet të fortë mes dy skuadrave historike. Për herë të parë, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që një derbi i luajtur në “Air Albania” të zhvillohet paralelisht me një tjetër ndeshje të Superiores. Komisioni i Ligave dhe Garave miratoi kërkesën e Vllaznisë për të luajtur në të njëjtën orë përballjen ndaj Elbasanit, një vendim i lidhur me festimet e 107-vjetorit të klubit shkodran.

Kjo do të bëjë që vëmendja e tifozëve të futbollit shqiptar të ndahet mes dy qyteteve. Në Shkodër, Vllaznia dhe Elbasani do të përballen në një ndeshje direkte për kreun e tabelës, ndërsa në Tiranë, derbi mes Partizanit dhe Tiranës do të ketë peshën e zakonshme historike dhe emocionale, edhe pse asnjëra prej skuadrave nuk ndodhet aktualisht në zonën “Final Four”. Ndërkohë, Partizani ka nxjerrë tashmë në shitje biletat për derbin. Çmimet variojnë nga 500 lekë të reja për sektorët mbrapa porte, deri në 5 mijë lekë të reja për tribunën VIP, duke i dhënë mundësi tifozëve të zgjedhin sipas preferencës. Një fundjavë e veçantë për futbollin shqiptar, me dy sfida të rëndësishme që pritet të mbajnë të mbërthyer vëmendjen e publikut nga minuta e parë deri në fishkëllimën finale.

sfidanti.al