Në “Instagram”, faqja zyrtare e Juventusit e ka postuar një përmbledhje të yllit dardan, Edon Zhegrova, gjatë stërvitjes së fundit. Në video shihet Zhegrova duke shënuar disa gola të bukur, e duke treguar aftësitë e tij. Në mbishkrimin e postimit të videos, Juventusi ka shkruar “Luani”. Edon Zhegrova luajti tërë pjesën e dytë mbrëmë, në barazimin 2-2 të Juventusit me Lazion në “Allianz Stadium”. Në përgjithësi, Zhegrova po ka probleme me minutazhin, pasi ka startuar vetëm në një ndeshje, atë ndaj Pafosit në Ligën e Kampionëve, me 12 tetor të vitit të kaluar. Gjithsej, 26-vjeçari ka vetëm 374 minuta në këmbët e tij, në 18 ndeshje në të gjitha garat. Deri më tani, ai nuk ka arritur as të shënojë e as të asistojë në këto paraqitje. Ylli i kombëtares së Kosovës u transferua te Juventusi në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës së kaluar. Klubi italian pagoi te Lille 15.5 milionë euro për shërbimet e yllit kosovar. Më herët në karrierën e tij, Zhegrova ka luajtur edhe për Basel e Genk, teksa ka shpenzuar një kohë edhe në akademinë e St. Truiden. Me kombëtaren e Kosovës, anësori ka 45 paraqitje, duke shënuar pesë gola.
sfidanti.al

