Dy përforcime për Flamurtarin. Klubi vlonjat ka zyrtarizuar dy lojtarë të rinj, të cilët do të jenë në dispozicion të trajnerit Moriero për pjesën e mbetur të sezonit. I pari është mbrojtësi Momcilo Raso, ndërsa i dyti është një emër i njohur, braziliani Leo Melo, që vjen nga Egnatia. Deri tani nga Flamurtari kishte pasur vetëm largime. Raso luan në rolin e qendërmbrojtësit dhe vjen nga Lokomotiv Tashkent. Ai ka një eksperiencë të konsiderueshme, ndërkohë që ka qenë pjesë e Malit të Zi U-21. Melo njihet në futbollin shqiptar, pasi ka luajtur më parë me Elbasanin dhe së fundi me Egnatian. Ai luan si mesfushor i avancuar dhe pritet që ta ndihmojë skuadrën në lojën sulmuese. Janë vetëm lëvizjet e para te skuadra bregdetare, që pret edhe të tjera përforcime për të synuar mbijetesën në Abissnet Superiore. Flamurtari vjen pas firores me Bylisin dhe në fundjavë ndeshet me Tiranën rivale në kryeqytet.
sfidanti.al

