Teuta, Dobi rrezikon largimin

Humbja 2-1 me Partizanin mund të rezultojë fatale për trajnerin e Teutës, Enkeleid Dobi. Durrsakët pësuan golin e dytë në kohën shtesë dhe pas javës së 20-të të Abissnet Superiore e shohin veten në vend të 6-të, pasi janë parakaluar nga Partizani, edhe pse me pikë të barabarta.

Teuta ka pasur një ecuri negative që në fund të 2025-ës dhe vazhdon edhe tani në 2026-ën. “Djemtë e detit” kanë marrë vetëm 3 pikë në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit, me 3 barazime dhe 2 humbje. Diferenca me vendin e 4-t është 7 pikë, duke vënë në rrezik objektivin për të shkuar në “Final 4”.

Klubi durrsak pritet të analizojë situatën aktuale, për të marrë më pas një vendim, nëse do të vazhdojë me Dobin në stol, apo do të kemi një ndryshim. Trajneri aktual e mori drejtimin e Teutës në verë dhe sezonin e nisi mirë, por rezultatet e fundit e kanë vënë në dyshim të fortë pozicionin e tij.

Ndeshjen e radhës durrsakët e kanë me Vorën, më 25 janar.