Kroos: Barcelona nuk ka shanse që të fitojë këtë vit Championsin

Barcelona po shijon ende triumfin në Superkupën e Spanjës, të fituar pas një përballjeje spektakolare ndaj Real Madridit me rezultatin 3-2 në Arabinë Saudite. Ky sukses ka rritur ndjeshëm besimin në kampin katalanas, të cilët synojnë një sezon të mbushur me trofe në La Liga, Kupën e Mbretit dhe mbi të gjitha në Champions League, trofe që mungon prej më shumë se një dekade. Pavarësisht optimizmit në “Camp Nou”, skeptikët nuk mungojnë. Ish-ylli i Real Madridit, Toni Kroos, ka shprehur dyshimet e tij për potencialin europian të Barcelonës. Në podcastin “Einfach mal Luppen”, gjermani theksoi se Superkupa nuk është tregues i mjaftueshëm: “Barça duket e lumtur me Superkupën, por tani vjen Champions League me kundërshtarë të nivelit të lartë. Nuk do të fitojë asnjë titull kontinental, të paktën kështu mendoj unë”. Barcelona mbetet e fokusuar te Champions League, ku objektivi i parë është renditja mes tetë skuadrave më të mira të fazës së grupeve. Me lojtarë si Pedri, Lamine Yamal dhe Raphinha në formë të shkëlqyer, shpresat janë të mëdha.

sfidanti.al