Viktor Da Silva, braziliani i njohur në futbollin shqiptar pas eksperiencave me Vllazninë, Bylisin dhe Partizanin, është prezantuar sot te Drenica në Kosovë. Ai ishte pjesë e të kuqve sezonin aktual, por luajti pak dhe tashmë ka kaluar në futbollin kosovar. “Drenica ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me sulmuesin brazilian, Victor Da Silva. 31-vjeçari vjen si një përforcim i rëndësishëm për repartin e sulmit, duke sjellë me vete eksperiencë ndërkombëtare. Së fundmi Da Silva ishte pjesë e Partizanit.
E kaluara e tij është mjaft e suksesshme, duke u formuar dhe luajtur për klubin e njohur italian, Chievo Verona. Gjithashtu, ka shkëlqyer te Vllaznia dhe Nasaf Qarshi”, – shkruhet në njoftimin e klubit kosovar. Drenica drejtohet nga trajneri gjerman Tomas Brdariç, i cili e njeh mirë brazilianin, pasi të dy kanë qenë bashkë te Vllaznia disa sezone më parë. Brdariç kërkon ta forocjë skuadrën me lojtarë me përvojë dhe veç Da Silvës pritet që te Drenica të kalojë edhe Fjoart Jonuzi, një tjetër njohje e vjetër e trajnerit gjerman.

