Gjithçka tregon se Ronald Araújo do të jetë emri më i spikatur në rikthimin e Barcelonës në stërvitje pas pushimeve të Krishtlindjes. Mbrojtësi uruguaian, 26 vjeç, është kthyer tashmë në Barcelonë pas qëndrimit në Uruguai pranë familjes dhe synon të ribashkohet me grupin që këtë të hënë, nën drejtimin e Hansi Flick, në seancën që do të zhvillohet në ‘Estadi Johan Cruyff’, përpara rreth 6.000 tifozëve, në kuadër të stërvitjes tradicionale të hapur.
Pikërisht kontakti me tifozët është një nga arsyet kryesore pse Araújo dëshiron të jetë i pranishëm. Kapiteni i Barcelonës kërkon t’i falënderojë personalisht mbështetësit ‘blaugrana’ për përkrahjen e madhe që ka marrë, që prej momentit kur u bë publik fakti se kishte kërkuar një pauzë nga rutina e përditshme e skuadrës për arsye të shëndetit mendor.
Araújo po e trajton rikuperimin me qetësi dhe maturi, pa vendosur një afat konkret për rikthimin në ndeshje zyrtare. Paraqitja e tij e fundit daton më 25 nëntor, kundër Chelsea-t, ndeshje pas së cilës ai përjetoi një goditje emocionale që e çoi drejt kërkesës për pushim. Që atëherë, ai nuk ka qenë në dispozicion për disa sfida, ndërsa klubi konfirmoi se arsyet ishin të natyrës psikologjike. Gjatë periudhës së mungesës, Araújo është stërvitur në Uruguai me një trajner personal, sipas një programi të përgatitur nga Barcelona, duke ruajtur një formë të mirë fizike. Megjithatë, mungesa e ritmit të përditshëm të skuadrës bën që rikthimi i tij të vlerësohet dita-ditës, në bashkëpunim me Flick, stafin mjekësor dhe specialistët e shëndetit mendor.
Për momentin, rëndësi ka një rikthim i sigurt dhe i qëndrueshëm. Mbështetja e tifozëve pritet të luajë një rol kyç, duke nisur pikërisht nga kjo stërvitje e hapur, që shënon hapin e parë drejt rikthimit të plotë të Araújos.
sfidanti.al

