Spalletti është i bindur për Zhegrovën: Lojtar më pasion

Edon Zhegrova, Luciano Spalletti dhe Fabio Miretti ishin protagonistët kryesorë të fitores së Juventusit kundër Udineses. Bardhezinjtë të drejtuar nga Luciano Spalletti triumfuan me një rezultat të pastër 2-0 ndaj skuadrës së Kosta Runjaic dhe siguruann kalimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë, ku do të përballen me Atalantën ose Genoa-n. Pas ndeshjes, Spalletti doli në konferencë për shtyp dhe analizoi paraqitjen e ekipit të tij.

“Fitorja është e rëndësishme, sepse është ilaçi i vetëm i vërtetë për t’u ndier i çliruar nga presioni dhe tensioni. Gjithmonë kam parë që gjërat përmirësohen dita-ditës. Tani ekipi po fillon të mendojë ndryshe me topin në këmbë. Sot duhet të jemi të kënaqur, sepse bëmë gjëra të mira.”

Për Zhegrovën: “Jam i kënaqur me paraqitjen e Zhegrovës dhe më gëzoi fakti që e pashë të vraponte deri në zonën tonë. Ai është një lojtar me pasion, i cili gjithmonë të intimidon.” Për Mirettin: “Bëri një ndeshje të mirë, sepse gjithmonë e sheh përtej pasimit të parë. Atij i duheshin më shumë minuta dhe kjo do të jetë vendimtare që ai të përmirësohet në maksimum.”

Zhegrova hyri në fushë në minutat e fundit të takimit, duke treguar sinjale shumë pozitive. Kosovarit ende i duhet kohë që të rikthejë plotësisht formën, pasi ka qenë jashtë fushave për rreth nëntë muaj, por hapat e tij janë të sigurt dhe premtues. Ndërkohë, Miretti e nisi titullar,  ashtu si kundër Bodos,  dhe ishte bindës në çdo aspekt të lojës.

Falë këtyre paraqitjeve, Spalletti e pret sfidën kundër Napolit me më shumë besim dhe qetësi.

sfidanti.al