Prishtina ka zyrtarizuar sot rikthimin e Afrim Tovërlanit në pankinë, duke e konfirmuar atë si trajnerin më të ri të skuadrës bardhekaltër. Pas ndarjes së rrugëve me Arsim Thaqin në ditët e fundit, klubi kryeqytetas ka lëvizur shpejt për të plotësuar boshllëkun në stol, duke ia besuar drejtimin një figure të njohur për klubin. Tovërlani, i cili deri tani drejtonte Kombëtaren U-21 të Kosovës, rikthehet në Prishtinë pas më shumë se një dekade. Lajmi është bërë publik përmes faqes zyrtare të klubit, ku rikthimi i tij është pritur me entuziazëm.
“FC Prishtina prezanton me kënaqësi trajnerin e ri të skuadrës, Afrim Tovërlani, i cili pas 11 vitesh rikthehet në krye të bardhekaltërve. ‘Toki’ kthehet në shtëpinë e tij, aty ku ka lënë gjurmë të thella si futbollist dhe trajner”, thuhet në njoftimin e klubit.
Prishtina kujtoi edhe sukseset e tij të mëhershme: “Tovërlani e ka drejtuar Prishtinën në dy periudha, 2007–2009 dhe 2012–2014, duke fituar plot 7 trofe, mes tyre titullin e kampionit, Kupën e Kosovës dhe Superkupën, duke u renditur si një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë moderne të klubit.” Klubi po ashtu vuri në pah kontributin e madh të Tovërlanit si futbollist: “Në vitet ’80 dhe ’90, ai ishte një figurë qendrore e skuadrës, madje edhe kapiten për një kohë të gjatë, duke fituar trofe të rëndësishëm dhe duke qenë pjesë e periudhave më të lavdishme të klubit.”
Në fund, Prishtina i uroi mirëseardhje trajnerit të ri: “FC Prishtina i dëshiron Tovërlanit shumë suksese në detyrën e tij të re, me bindjen se përvoja dhe profesionalizmi i tij do t’i rikthejnë klubit lavdinë dhe trofetë që tifozët i presin.”
sfidanti.al

