Pas fitores 2-0 të arritur mbrëmë nga Napoli ndaj Qarabag në stadiumin “Maradona”, në zonën miks ka përfunduar qendërmbrojtësi napolitan, Amir Rrahmani. Kapiteni i Kombëtares së Kosovës luajti gjatë tërë ndeshjes në këtë sfidë të Ligës së Kampionëve, ndërsa e pranoi se rikthimi nga lëndimi nuk ishte i lehtë për të, mbi të gjitha për shkak të orarit të ngjeshur të ndeshjeve.
“Ishte paksa e vështirë sepse janë shumë ndeshje afër njëra-tjetrës. Pas lëndimit kjo është ndeshja e shtatë që e luaj në tri javë, është shumë. Por, po mundohemi ta menaxhojmë sa më mirë situatën sepse trajneri në disa takime më ka bërë që të pushoj, më ka nxjerrë nga loja para fundit të ndeshjes. Kështu, ishte mjaft e vështirë, ta them të drejtën, sepse isha jashtë për dy muaj dhe kur jam rikthyer ishin krejt përballjet çdo tri ditë dhe më pas edhe angazhimi me Kombëtaren”, deklaroi Rrahmani.
A është më e lehtë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve apo të shkosh në Botëror me Kosovën? “Nuk e di, shpresojmë që t’i bëjmë të dyja sepse luajmë për këtë, për të shkuar sa më lartë të jetë e mundur për t’i arritur rezultatet më të mira”, përfundoi Rrahmani.
sfidanti.al

