Në prag të sfidës së Ligës së Kampionëve kundër Bayer Leverkusen-it, trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka kërkuar falje për incidentin e së shtunës pas humbjes ndaj Newcastle-it. Trajneri katalanas, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, pati një debat të ashpër me Bruno Guimaraes dhe reagoi në mënyrë impulsive ndaj një kameramani që po filmonte skenën. “Kërkoj falje. Kur e pashë përsëri videon, u ndjeva në siklet. Ishte e sikletshme dhe i kërkoj falje kameramanit,” tha Guardiola në konferencën për shtyp. “Jam ai që jam.
Nuk jam i përsosur dhe bëj gabime, por një gjë është e sigurt: unë e mbroj skuadrën dhe klubin tim, mos më keqkuptoni. Nga përvoja ime, për të fituar Premier League duhen 98 apo 100 pikë, përndryshe nuk e fiton dot. Dhe me katër humbje në 12 javët e para…”. Adrenalina, sipas Guardiolës, shpesh të shtyn të bësh veprime të nxituara për të cilat pendohesh menjëherë më pas. Pikërisht kjo ka ndodhur në ‘St James’ Park’, ku situata për City-n në garën për titull u ndërlikua edhe më shumë: Citizens tashmë janë tejkaluar nga Chelsea në vendin e dytë dhe fitorja e Arsenalit në derbin ndaj Tottenhamit i ka larguar 7 pikë nga kreu i tabelës. Një diferencë që në teori mund të mbulohet, por vetëm nëse Arsenali ngadalëson ritmin e tij dominues dhe City ndalon hapat e gabuar.
Tani, fokusi i City-t është i gjithi te ndeshja e nesërme ndaj Leverkusen-it, një mundësi ideale për të lënë pas humbjen në Premier League dhe për të bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve.

