E ardhmja e Xavi-t mbetet një nga temat më të diskutuara në botën e futbollit. Trajneri spanjoll, i cili u largua disa muaj më parë nga Barcelona, është aktualisht pa klub dhe, sipas ndërmjetësit të tij, Salvatore Leonardi, po kërkon me kujdes projektin e duhur për hapin e radhës në karrierë.
Në një intervistë për Stile TV, Leonardi u shpreh: “Trajnerë spanjollë si Xavi u shërbejnë shumë klubeve italiane. Me të, stërvitjet janë gjithmonë me topin, shumë praktike dhe moderne. Ai po kërkon një skuadër të re. Nuk kam pasur kontakte konkrete me Napolin, por si profil do t’i përshtatej shumë mirë jo vetëm atij ekipi, por edhe shumë të tjerëve në Serie A. Është një trajner modern dhe me ide të qarta për futbollin.”
Leonardi shpjegoi gjithashtu filozofinë e lojës së Xavit:
“Ai përdor sistemin 4-3-3 dhe fokusohet te mbajtja e topit dhe loja në zonën ofensive, një stil që reflekton mënyrën si luante edhe kur ishte mesfushor. Lojtarëve u pëlqen ta ndjekin këtë stil, sepse çdo seancë është me topin. Xavi është i ri, ambicioz dhe i kujdesshëm për zgjedhjet e tij, veçanërisht sa i përket zhvillimit të të rinjve. Napoli është një destinacion që e vlerëson shumë.” Në fund, Leonardi foli shkurt edhe për nipin e Diego Armando Maradonës, i cili është lidhur me një kalim të mundshëm te Napoli: “Negociatat janë pezull, por ka edhe klube të tjera italiane të interesuara. Edhe trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, e ka kontaktuar.” Për momentin, Xavi mbetet pa skuadër, por me profilin e tij modern dhe vizionin taktik, duket vetëm çështje kohe para se një klub europian t’i ofrojë pankinën e radhës.
sfidanti.al

