Goditje e rëndë për Napolin, konfirmohet dëmtimi serioz i Anguissa

Probleme serioze për Napolin dhe trajnerin Antonio Conte. Klubi kampion në fuqi i Italisë ka njoftuar se mesfushori kamerunas, Frank Zambo Anguissa, ka pësuar një dëmtim të rëndë të bicepsit femoral në kofshën e majtë, gjatë angazhimit me kombëtaren e Kamerunit. Sipas komunikatës zyrtare të klubit, lojtari iu nënshtrua sot ekzaminimeve mjekësore në Pineta Grande Hospital, ku u konfirmua se bëhet fjalë për një dëmtim të shkallës së lartë. Anguissa ka nisur menjëherë fazën e rehabilitimit nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të Napolit.

Ky dëmtim pritet ta mbajë mesfushorin jashtë fushave për 8 deri në 12 javë, duke e detyruar të humbasë jo vetëm ndeshjet e mbetura të vitit 2025 me Napolin, por edhe Kupën e Afrikës me kombëtaren e tij. Mungesa e Anguissas është një goditje e madhe për Napolin, që tashmë do të duhet të përballet me një periudhë të vështirë pa njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm në mesfushë, simbol i ekuilibrit dhe forcës fizike në skemën e Contes.

sfidanti.al