Situata duket se po degradon çdo ditë. Në Serbi futbolli i vendit po ngjan pikërisht sikur të jetë “viti i mallkuar”. Tre skandale ndodhën ditët e fundit në ndeshjet që nga Liga e Parë e Serbisë, pra niveli i dytë i futbollit, dhe në ligat rajonale. Në ndeshjen e Ligës së Parë të luajtur në Vranjë, mes ekipeve Dinamo Jug dhe OFK Vrshac, pati përplasje mes lojtarëve, ndërprerje prej 5 minutash, e më pas shpërtheu sërish dhuna në fushë.
Pati grushta, ndërhyrje të policisë, ndërsa në tunelin e stadiumit u lënduan dy persona, mes të cilëve një grua fizioterapiste. Skandali i dytë ngjau në sfidën e ligës rajonale të Beogradit, mes ekipeve BSK dhe Vrçin, sepse njëri nga lojtarët miq sulmoi njërin nga arbitrat duke e rrëzuar në tokë. Kjo, pasi vijërojtësi sinjalizoi arbitrin kryesor se portieri mik kishte shkelur rregulloren në gjuajtjen e penalltisë nga vendasit. Pas kësaj, ndeshja u braktis. Skandali i fundit ndodhi në sfidën e ligës së pestë mes skuadrave Omladinac nga Rajkovaci dhe Radit.
Skuadra mike fitoi 3-2, por acarimi ishte tepër i madh dhe u arrit në përleshje mes tifozëve në tribuna, të cilat nuk ishin vërtet tribuna, por kodra prej dheu të mbuluara me bar. Për fat, nuk pati të lënduar, ndërsa nuk dihet sesi do të jenë fundjavat e ardhshme të futbollit në Serbi, ndërsa vendi është në krizë të rëndë politike dhe vazhdojnë protestat prej më shumë se një viti.
sfidanti.al

