Pritja spektakolare e Mike Maignan ndaj goditjes së Paulo Dybalas në sfidën Milan–Roma nuk ishte thjesht një moment i jashtëzakonshëm në ndeshje. Ajo konfirmoi rikthimin e portierit francez në formën më të mirë dhe, njëkohësisht, rihapi debatin mbi të ardhmen e tij te kuqezinjtë. Maignan, i cili gjatë verës ishte shumë pranë largimit nga “San Siro”, ka kontratë me Milanin deri më 30 qershor 2026. Kjo do të thotë se, nëse nuk arrihet një marrëveshje për rinovim, ai mund të nënshkruajë lirisht me një klub tjetër që nga janari i ardhshëm, si transferim pa pagesë. Performancat e larta dhe ndikimi i tij brenda grupit e bëjnë situatën edhe më urgjente për drejtuesit e klubit. Sipas “Tuttosport”, negociatat për zgjatjen e kontratës aktualisht nuk janë në agjendën e Milanit, ndonëse presioni për t’i rifilluar ato po rritet. Tensionet mes palëve nisën në shkurt 2025, kur një marrëveshje verbale për rinovim trevjeçar me 5.5 milionë euro në sezon, plus bonuse, u pezullua pas disa gabimeve të portierit – përfshirë atë ndaj Feyenoordit. Në verë, Chelsea ishte gati ta sillte Maignan në Londër, por Milani kërkoi 25 milionë euro dhe refuzoi ta shiste.
sfidanti.al

