Vini jr. rikthen vëmendjen e arabëve

E ardhmja e Vinicius Jr te Real Madrid ka mbetur përsëri në pasiguri, pasi gazetari Romain Molina zbuloi se përfaqësuesit e brazilianit kanë rihapur bisedimet me klubet saudite për një transferim të mundshëm.

Sipas Molinës, agjencia Roc Nation, që menaxhon sulmuesin, ka rifilluar kontaktet me disa skuadra saudite, ndërsa po vlerësohen opsionet afatgjata për 25-vjeçarin. Megjithëse ka zëra të vazhdueshëm që e lidhnin Viniciusin me Paris Saint-Germain, raportohet se klubi francez nuk është i interesuar ta ndjekë në këtë fazë.

Lajmi vjen në një moment delikat për Real Madridin, pas raporteve mbi tensione në rritje mes Vinicius-it dhe trajnerit Xabi Alonso. Marrëdhënia mes tyre thuhet se është ftohur që nga ‘El Clasico’ e fundit, dhe sulmuesi është i pakënaqur me rolin e tij nën drejtimin e Alonsos.

Vinicius ka kontratë deri në vitin 2027, por bisedimet për rinovimin janë ngadalësuar muajt e fundit dhe, nëse situata nuk përmirësohet, ai mund të marrë në konsideratë largimin nga klubi në verën e vitit 2026.

Ndërkohë, përfaqësuesit sauditë thuhet se po përgatisin një tentativë ambicioze për të tërhequr ‘yllin’ e Madridit, duke e parë atë si një transferim të rëndësishëm që mund të rrisë profilin global të ligës.

Për momentin, te Real Madridi theksojnë se Vinicius mbetet pjesë qendrore e projektit, por këto zhvillime të fundit rrisin pasigurinë rreth njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të klubit.