Liverpool po planifikon lëvizjet për merkaton e ardhshme të janarit. Edhe pse deri atëherë ka ende kohë, drejtuesit e klubit anglez po mendojnë për përforcime që do t’i japin më shumë cilësi skuadrës së Arne Slot, me synimin për të mbrojtur titullin në Premier League dhe për të shkuar sa më larg në Champions League.
Sipas të përditshmes angleze I Paper, një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e “The Reds” është Antoine Semenyo, sulmuesi 25-vjeçar i Bournemouth-it. Futbollisti ganez po zhvillon një fillim sezoni mbresëlënës, duke u bërë një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës së tij dhe një objektiv potencial për merkaton dimërore. Ai ka luajtur në tetë ndeshje në Premier League, duke shënuar gjashtë gola dhe dhuruar tre asistime për shokët e skuadrës. Përveç kësaj, ai është aktivizuar edhe 45 minuta në Kupën e Ligës, duke konfirmuar formën e lartë dhe kontributin e rëndësishëm në fazën ofensive të Bournemouth-it. Me këto paraqitje, Semenyo ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e tifozëve, por edhe të drejtuesve të Liverpool-it, të cilët e shohin si një alternativë premtuese për të forcuar repartin e sulmit në pjesën e dytë të sezonit.
sfidanti.al