Ish-sulmuesi i njohur i Manchester United, Diego Forlan, është dërguar me urgjencë në spital pas një dëmtimi serioz që pësoi gjatë një ndeshjeje të kampionatit për veteranë në Uruguai. 46-vjeçari, që aktivizohej me skuadrën e Old Boys në ndeshjen ndaj Old Christians, u përplas fort me një kundërshtar dhe ra në tokë me dhimbje të mëdha. Menjëherë pas incidentit, ai u dërgua në spital për shkak të natyrës së rëndë të dëmtimit. Pas ekzaminimeve mjekësore, Forlan u diagnostikua me tri brinjë të thyera dhe mushkëri të pjesshme të shembur. Sipas mediave uruguaiane, mushkëria e tij ishte mbushur me lëngje dhe iu desh një ndërhyrje për ta kulluar. Megjithatë, burime pranë familjes së tij kanë bërë të ditur se gjendja e Forlanit është e qëndrueshme dhe ai do të qëndrojë nën kujdes mjekësor deri të martën. Vetë ish-sulmuesi ka theksuar se përplasja ishte e rastësishme dhe se “nuk kishte asnjë qëllim të keq” nga kundërshtari.
Një karrierë e jashtëzakonshme në futbollin botëror
Pavarësisht se pati vështirësi në fillim me Manchester United-in, ku shënoi vetëm 17 gola në tri vite, Forlan mbetet një nga golashënuesit më të respektuar të brezit të tij. Ai u transferua nga Independiente në vitin 2002 për 7 milionë paundë dhe, pas periudhës në “Old Trafford”, nisi ringritjen e tij në Spanjë. Me Villarrealin, Forlan shënoi 25 gola në sezonin e parë dhe fitoi Këpucën e Artë Evropiane, përpara se të kalonte te Atletico Madridi në vitin 2007. Në Madrid, ai shënoi 96 gola, fitoi Europa League-n dhe një tjetër Këpucë të Artë. Pas kësaj, ai pati eksperienca me Interin, Internacionalin e Brazilit, Cerezo Osakan në Japoni dhe më pas me Penarolin në vendlindje, përpara se të tërhiqej nga futbolli profesionist në vitin 2019. Në arenën ndërkombëtare, Forlan ka luajtur 112 ndeshje me Uruguain, duke shënuar 36 gola. Ai shkëlqeu në Kupën e Botës 2010, ku fitoi Topin e Artë si lojtari më i mirë i turneut dhe një vit më pas ndihmoi Uruguain të fitonte Copa America-n. Pas tërheqjes, Forlan ka provuar edhe rolin e trajnerit me skuadrat uruguaiane Penarol dhe Atenas, ndërsa vazhdon të luajë për pasion në kampionatin e veteranëve në vendin e tij.
sfidanti.al