Paraqitjet e shkëlqyera të Arijanet Muric në Serie A kanë bërë që drejtuesit e Sassuolos të vendosin ta mbajnë përfundimisht portierin e Kombëtares së Kosovës në skuadër. Sipas raportimeve të gazetës italiane ‘Tuttosport’, klubi nga Emilia-Romagna është i gatshëm të investojë për të blerë kartonin e Muric, i cili aktualisht luan në huazim nga Ipswich Town. Burime të afërta me klubin bëjnë të ditur se Sassuolo tashmë ka kontaktuar përfaqësuesit e 26-vjeçarit për të nisur negociatat me skuadrën angleze. Qëllimi është që marrëveshja të mbyllet sa më shpejt, pasi trajneri dhe stafi teknik e shohin Muric si një element kyç për projektin e ardhshëm të skuadrës.
Megjithatë, një nga pikat që do të diskutohet në tryezë është çmimi i klauzolës së blerjes. Ipswich e kishte vendosur shumën prej 10 milionë eurosh, por Sassuolo synon ta ulë këtë vlerë për ta përfunduar transferimin në kushte më të favorshme. Që nga mbërritja e tij në Itali, Muric është bërë menjëherë titullar i padiskutueshëm, duke spikatur me pritje vendimtare, qetësi dhe komunikim të fortë me mbrojtjen. Forma e tij e lartë ka fituar vlerësime të mëdha nga tifozët dhe ekspertët, ndërsa vetë lojtari është shprehur se ndihet i lumtur në Itali dhe dëshiron të vazhdojë karrierën te Sassuolo. Nëse marrëveshja finalizohet, Muric pritet të bëhet një nga blerjet më të rëndësishme të klubit për sezonet e ardhshme, një sinjal i qartë se portieri kosovar po e konsolidon gjithnjë e më shumë pozitën e tij në elitën e futbollit italian.
sfidanti.al