Në “Festivalin e Sportit” në Trento, Henrikh Mkhitaryan ka rrëfyer historinë e gjatë të karrierës së tij, nga Armenia deri tek Interi, duke ndalur te figurat që e kanë formuar si futbollist dhe si njeri. “Kam nisur futbollin për shkak të babait tim, që ishte sulmues si unë. Kur ai u nda nga jeta, në çdo trajner kërkoja një figurë atësore,” – tha ai. Rrugëtimi nisi me Mircea Lucescu-n te Shakhtari: “Më ndihmoi shumë, më mësoi të gëzoja futbollin. Ende flasim sot.”
Pastaj erdhi Jurgen Klopp te Dortmundi: “Ai kishte zgjidhje për çdo gjë, të dëgjonte gjithmonë. Kalova një periudhë të vështirë, por më qëndroi pranë. Më detyrohet ende 50 euro për një bast pas një ndeshjeje ku shënova dy gola!” – tha mesfushori armen duke qeshur. Më pas, me Thomas Tuchel-in, Mkhitaryan gjeti sërish vetveten: “Doja të largohesha, por ai më bindi të qëndroja. Tha se do të shënoja 15 gola e do të bëja 15 asiste. Kishte të drejtë.” Me Mourinhon te Manchester United raporti nisi vështirë, por përfundoi me respekt të ndërsjellë: “Më sfidoi për të parë sa i fortë isha. Në fund më bëri të kuptoj botën e futbollit. Në Romë, më pas, u kuptuam menjëherë.”
Kalimi nga Roma tek Interi nuk ishte i lehtë: “Roma nuk ishte e qartë, ndërsa Interi më ofroi siguri. Mendoj se Mou nuk e dinte dhe u zemërua, por unë e kisha dhënë fjalën.” Për Simone Inzaghin, Mkhitaryan tha: “Ka qenë si baba, mik dhe këshilltar. Tri vite të mrekullueshme.” Ai përfundoi me reflektim: “Champions-i i kaluar ishte krenari dhe dhimbje. E tillë është bukuria e futbollit.”