Klubi italian Leon ka vendosur të besojë në energjinë dhe pasionin e një emri të njohur për tifozët shqiptarë: Ledian Memushaj. Ish-mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë është emëruar trajner i ri i skuadrës pas shkarkimit të Matteo Vullo-s, duke nisur kështu përvojën e tij të parë si trajner në një ekip të kategorisë së katërt italiane, Serie D.
Vendimi për shkarkimin e Vullo-s erdhi pas humbjes së parë të sezonit ndaj Oltrepò-s, edhe pse deri atëherë skuadra kishte regjistruar pesë barazime, përfshirë ato ndaj Milan Futuro, Caldiero dhe Folgore. Drejtori sportiv Marco Sala e shpjegoi kështu lëvizjen: “Ishte një kombinim faktorësh, teknikë, personalë dhe disa vështirësi në marrëdhënie me grupin.”
Leon, që nuk njihet si klub që ndryshon shpesh trajnerë, ka zgjedhur Memushajn si një bast të ri dhe ambicioz. “Opsioni i tij na u paraqit dhe menjëherë gjetëm gjuhën e përbashkët gjatë takimit me drejtuesit. Edhe pse është i ri në këtë kategori, ai ka një ide të qartë për futbollin dhe do të sjellë frymën e tij,” – shtoi Sala.
Memushaj, 37 vjeç, ka nisur karrierën si trajner pas mbylljes së një periudhe të gjatë dhe të suksesshme me Pescara-n, ku luajti 238 ndeshje, 36 prej tyre në Serie A, duke shënuar edhe një gol në elitë në vitin 2016. Me “delfinët” siguroi një ngjitje historike në Serie A dhe luajti dy “play-off”-e për t’u rikthyer në elitë.
Pas tërheqjes nga futbolli aktiv në vitin 2022, ai mori drejtimin e ekipit të Primavera 2 të Pescara-s, që përfundoi në vendin e nëntë në sezonin 2022/23. Më pas, shërbeu si asistent i Gigi Di Biagio-s te Dinamo e Tiranës, por aventura përfundoi në tetor, pas dorëheqjes së trajnerit italian. Vitin e kaluar u rikthye sërish te Pescara Primavera, por u largua në fund të nëntorit.
Tani, sfida e re e pret në pankinën e Leon-it, ku pritet të debutojë këtë të diel në transfertë ndaj Nuova Sondrio-s. Sipas mediave lokale, Memushaj pritet të vendosë skuadrën në një sistem 4-3-3 të balancuar, në përpjekje për t’i dhënë identitet dhe stabilitet ekipit.
Për Ledian Memushajn, kjo është një mundësi e artë për të nisur rrugën e tij si trajner profesionist, me synimin që një ditë të ngjitet në nivele më të larta, ashtu siç bëri dikur edhe si futbollist.
sfidanti.al