Divock Origi, i transferuar te Milani në verën e vitit 2022 si lojtar i lirë pas eksperiencës me Liverpool-in, nënshkroi një kontratë katërvjeçare me vlerë 4 milionë euro neto në sezon (rreth 5.2 milionë bruto). Fillimi i tij ishte premtues: debutim kundër Udineses dhe gol i parë kundër Monza-s në tetor të 2022-s. Megjithatë, pas dëmtimeve dhe mungesës së formës, aventura e tij në Serie A mori tatëpjetën. Në janar të vitit 2023, Origi shënoi golin e dytë dhe të fundit me fanellën e Milanit kundër Sassuolos, ndërsa ndeshja e tij e fundit me kuqezinjtë daton më 28 maj 2023, kur luajti vetëm katër minuta ndaj Juventusit. Pas një sezoni të dështuar në huazim te Nottingham Forest, belgu u kthye në Milano, por nuk pranoi të bashkohej me ekipin e dytë “Milan Futuro”. Ai është stërvitur në mënyrë të pavarur mes Firences dhe Romës, duke qëndruar praktikisht jashtë çdo projekti sportiv.
Problemi më i madh për klubin është se kontrata e tij mbetet në fuqi deri në qershor të vitit 2026, çka do të thotë se Milani vazhdon t’i paguajë një rrogë të majme pa marrë asnjë kontribut në fushë. Negociatat për ndërprerjen e kontratës u zhvilluan në qershor, por pa rezultat. Palët do të rikthehen në tryezë në janar të 2026-s për të gjetur një zgjidhje përfundimtare. Sipas burimeve pranë klubit, paga e Origi-t është më e lartë se ajo e Modrić dhe Adrien Rabiot, çka ka shkaktuar pakënaqësi të brendshme, duke qenë se belgu nuk ka asnjë kontribut aktiv.
Për Milanin, kjo është një çështje që përfshin humbje të qarta ekonomike, ndërsa për Origi-n, një ngërç profesional që po i shkatërron karrierën. Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje në janar, lojtari do të vazhdojë të përfitojë nga kontrata deri në verën e vitit 2026, duke mbetur një nga rastet më të çuditshme të futbollit modern: një lojtar me rrogë të madhe që nuk luan për askënd.
Pyetja që shtrohet tashmë në Milano është e qartë: çfarë do të ndodhë me karrierën e Divock Origi-t pas gjithë kësaj periudhe të errët?
Sfidanti.al