NFL, ndahet nga jeta ish-kampioni i Super Bowl-it, Arthur Jones

Tronditje në botën e sportit amerikan: Arthur Jones, ish-lojtar mbrojtës në NFL dhe fitues i Super Bowl-it me ekipin Baltimore Ravens, ka ndërruar jetë në moshën 39-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka bërë publik Universiteti i Syracuse, ku Jones ishte diplomuar dhe kishte luajtur në karrierën e tij kolegjiale. As universiteti dhe as klubi i Ravens nuk kanë bërë të ditur shkakun e vdekjes. “Prania e Arthur ishte një dhuratë për të gjithë ata që e njihnin”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Ravens, Eric DeCosta. “Buzëqeshja e tij e ndritshme, energjia pozitive dhe optimizmi i pandërprerë ishin një burim frymëzimi për të gjithë.” Jones u përzgjodh në rundin e pestë të draftit të NFL-it në vitin 2010 dhe zhvilloi një karrierë të spikatur me Baltimore Ravens, ku shënoi 10 sacks në total, prej të cilave 8.5 në sezonet 2012–2013. Ai ishte një nga figurat kyçe në suksesin historik të ekipit që mposhti San Francisco 49ers në Super Bowl XLVII, duke sjellë një nga trofetë më të rëndësishëm në historinë e klubit.

sfidanti.al