Juventusi mund të largojë Vlahovic në janar

Juventus është gati të marrë një vendim të bujshëm. Dusan Vlahovic, sulmuesi serb, pritet të largohet nga Juventusi që në muajin janar. Kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2026 dhe rinovimi duket i pamundur, pavarësisht rolit të rëndësishëm që lojtari ka pasur deri tani. Në këtë fillim sezoni, pavarësisht se në sulm kanë mbërritur Openda dhe Jonathan David, numri 9 bardhezi ka treguar profesionalizëm dhe efikasitet, duke shënuar 4 gola dhe dhënë një asist në 5 ndeshje mes kampionatit dhe Champions League. Vlahovic ka qenë vendimtar ndaj Parmës e Genoas, ndërsa në arenën europiane ka realizuar dy herë kundër Borussia Dortmund, duke ndihmuar skuadrën në barazimin spektakolar 4-4. Megjithatë, drejtuesit e Juventusit po mendojnë një shitje të mundshme që në merkaton e janarit për të mos rrezikuar ta humbasin lojtarin me parametër zero në fund të sezonit. Objektivi i klubit është të japë më shumë hapësira për dy afrimet e verës, Openda dhe David. Sipas “Gazzetta dello Sport”, interesimi më i madh për Vlahovic vjen nga Premier League, ku Chelsea dhe Manchester United po ndjekin me vëmendje situatën e tij.

sfidanti.al