Slot kritikon Ekitiké-në pas kartonit të kuq në Carabao Cup

Fitorja 2-1 e Liverpoolit ndaj Southamptonit në Carabao Cup nuk kaloi pa polemika. Protagonist u bë Hugo Ekitiké, autor i golit vendimtar në minutën e 85-të, por edhe përgjegjës për një karton të kuq të panevojshëm që e la skuadrën me një lojtar më pak në fundin e ndeshjes. Sulmuesi francez, i futur në lojë në pjesën e dytë, mori një karton të verdhë të parë vetëm pas tetë minutash për një prekje të topit me dorë. Pas golit të avantazhit, kur e shtyu në rrjetë krosimin e Federico Chiesas, ai hoqi fanellën për të festuar me tifozët e Anfield-it, gjë që i solli menjëherë të verdhën e dytë dhe për pasojë përjashtimin nga loja. Ky veprim e penalizon Ekitiké-në, pasi do të mungojë në sfidën e ardhshme të Premier League kundër Crystal Palace. Trajneri Arne Slot nuk i fshehu kritikat: “Ka qenë një gjest i panevojshëm dhe, po, është treguar idiot. I thashë: nëse do të shënoje në finalen e Champions-it, pas një driblimi të tre lojtarëve dhe një goditjeje në trekëndësh, ndoshta do ta kuptoja. Por ky nuk ishte rasti. Duhet të dish të kontrollosh emocionet. Dhe nëse nuk mundesh, të paktën mos e bëj në një mënyrë që të kushton një karton të verdhë”. Slot shtoi se për të, pjesa më e rëndësishme ishte kontributi i Chiesa-s në gol dhe se Ekitiké duhet të mësojë të vërë ekipin përpara vetes.

sfidanti.al