Drama e Lucios

Pas katër muajsh nga tragjedia e shmangur, Lucio është rikthyer të flasë për aksidentin në shtëpi që, në ditën e ditëlindjes së tij, e përfshiu duke i djegur 18% të trupit, duke e detyruar të qëndronte 20 ditë në terapi intensive dhe t’i nënshtrohej disa ndërhyrjeve delikate. “Do të duhen edhe disa muaj të tjerë përpara se të mund të rikthehem 100%, por mund të them se më e keqja ka kaluar – ka treguar braziliani në një intervistë për Gazzetta dello Sport –. Shtrimi në spital ka qenë gjëja më e vështirë, një traumë e vërtetë”. “Djegiet janë një lloj dëmtimi shumë i vështirë për t’u përballuar, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht – ka shtuar ai –. Vazhdoj ende trajtimin mbi lëkurën, që është i gjatë, por po përmirësohem”.

Pastaj një hap prapa dhe rrëfimi i asaj që ka ndodhur. “Gjithçka ndodhi në mënyrë të papritur, ndërsa po darkoja në shtëpinë e miqve, pak pas festimit të 47-vjetorit tim më 8 maj – ka shpjeguar Lucio –. Në një moment oxhaku ishte shuar, dhe fatkeqësisht një mik, në përpjekje për të ringjallur zjarrin, hodhi sipër një bidonçinë alkooli dhe aty ndodhi shpërthimi”. “Unë kujtoj vetëm flakët mbi fytyrë, mbi krahë dhe mbi këmbë – ka vazhduar ai –. Gruaja ime nuk u lëndua dhe në atë çast unë u hodha në pishinë”. Pastaj vrapi drejt spitalit dhe mjekimet: “U transferova nga Brasilia në Rio Grande do Sul më 21 maj, dhe e kujtoj mirë vështirësinë për të fjetur për shkak të dhimbjes. Nuk kisha kaluar kurrë kaq shumë kohë në spital, operacionet ishin të nevojshme për të hequr inde dhe për mjekime të veçanta”.