Serena Williams ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë me trupin e saj, si gjatë karrierës sportive, ashtu edhe në jetën private, sidomos pas shtatzënisë së parë në vitin 2017, që solli një krizë të thellë personale. “Nuk arrita më të kthehesha në peshën që doja, çfarëdo që të bëja. Është frustrues, sepse gjithmonë kam punuar fort, stërvitesha, haja shëndetshëm, e dija çfarë duhej të bëja, por nuk arrija të merrja rezultatet që prisja,” rrëfeu ajo për People.
Pas lindjes së vajzës së saj të dytë, Adira River, në vitin 2023, Williams filloi të informohej për një trajtim që po përdoret gjithnjë e më shumë: farmakët (barna) agonistë të receptorit GLP-1, të cilët fillimisht u krijuan për trajtimin e diabetit të tipit 2, por që sot përdoren gjerësisht edhe për humbje peshe. Pasi përfundoi periudhën e gjidhënies, ajo nisi terapinë, humbi 14 kg dhe deklaroi se ndihet më në fund në paqe me trupin e saj.
Williams theksoi se u këshillua gjatë me mjekët dhe u informua thellësisht përpara se të merrte vendimin. “Mendoja: ‘A është një rrugë e shkurtër? Do të kem përfitime të tjera?’”. Terapia megjithatë dha rezultat: ajo humbi 14 kg dhe rifitoi peshën e dëshiruar. “Tani mund të bëj shumë më tepër. Jam më aktive, kyçet nuk më dhembin si më parë. Ky trajtim më ka ndihmuar të përmirësoj gjithçka që tashmë bëja: të haja shëndetshëm dhe të stërvitesha.”
Megjithatë, kampionia me 23 tituj Grand Slam kujtoi se vetëvlerësimi nuk duhet të lidhet vetëm me peshën: “Të shtosh ose të humbasësh peshë nuk duhet të ndryshojë mënyrën se si e shohim veten. Gratë gjykohen në çdo madhësi dhe unë nuk bëj përjashtim. Duhet të mësojmë ta duam veten në çdo formë dhe në çdo etapë të jetës.”
sfidanti.al