Kingsley Coman do të largohet nga Bayern Munich pas plot 10 vitesh. 29-vjeçari do të udhëtojë sot drejt Hong Kongut për të kryer vizitat mjekësore dhe për të finalizuar transferimin tek Al Nassr, ku do të bashkohet me Cristiano Ronaldon. Anësori francez pritet të përfitojë një pagë neto vjetore deri në 25 milionë euro, ndërsa Bayerni do të arkëtojë rreth 30 milionë euro nga shitja e tij. Me largimin e Coman që tashmë është vetëm çështje formalitetesh, kampionët gjermanë kanë nisur kërkimin për një zëvendësues. Sipas “The Times”, një nga objektivat kryesorë është bashkëkombësi i Coman, Christopher Nkunku i Chelsea. Interesi i Bayernit për 27-vjeçarin është dokumentuar prej muajsh dhe shitja e Coman mund t’i japë një shtysë të re kësaj lëvizjeje. Nkunku, ndryshe nga Coman që preferon krahun e majtë, zakonisht luan në qendër të sulmit, por fleksibiliteti i tij taktik shihet si një avantazh nga bavarezët. Chelsea është i gatshëm ta shesë sulmuesin e gjithanshëm këtë verë dhe kërkon një shumë mes 35 dhe 40 milionë euro. Pjesa më e madhe e kësaj shume mund të sigurohet nga Bayerni përmes të ardhurave të transferimit të Coman. Tani mbetet që dy klubet të gjejnë një marrëveshje dhe Nkunku të rikthehet në Bundesligë.
sfidanti.al