Kolo Muani rikthehet te Juventus

Është mbyllur me sukses operacioni për rikthimin e Randal Kolo Muani tek Juventusi. Klubi bardhezi ka arritur marrëveshjen me PSG-në për sulmuesin francez, i cili pritet të zbarkojë në Torino në ditët e ardhshme dhe të jetë gati për ndeshjen e parë të kampionatit, më 24 gusht kundër Parmës (20:45). Sipas marrëveshjes, Kolo Muani vjen në formë huazimi me pagesë prej 10 milionë eurosh, ndërsa në fund të sezonit Juventusi do ta blejë për 45 milionë euro, në bazë të detyrimit të blerjes. Negociatat kishin nisur prej disa javësh, me lojtarin që gjithmonë kishte shprehur dëshirën për t’u rikthyer në Torino. Kjo lëvizje nuk është e lidhur me çështjen e Vlahoviçit, i cili mbetet ende me të ardhme të pasigurt, por pa ndikuar në transferimin e francezit. PSG fillimisht kërkonte 65 milionë euro, por drejtori Comolli arriti të ulë shifrën përmes formulës 10+45. Kolo Muani, 26 vjeç, u bashkua me Juventusin në janar të sezonit të kaluar në huazim të kushtueshëm dhe shënoi 8 gola në 16 paraqitje në Serie A, duke bindur trajnerin Igor Tudor të kërkojë me ngulm rikthimin e tij. Tani, Juventusi pritet të fokusohet te shitjet, me emra si Nico Gonzalez (i lidhur me Atletico Madrid) dhe Douglas Luiz (Nottingham Forest) në listën e mundshme të largimeve.

sfidanti.al