Bierhoff: Sot mungojnë qendërsulmuesit, Vlahovic gati për Milanin

I pranishëm në Udine për finalen e Superkupës sw Europws, Oliver Bierhoff, ish-‘bomberi’ gjerman që ka lënë gjurmë te Udinese dhe Milani, ka ndarë mendimet e tij për gjendjen aktuale të kuqezinjve dhe nevojat e tyre në merkato.

“Milani vjen nga një sezon shumë i vështirë. Objektivi duhet të jetë gjithmonë i lartë, si Liga e Kampionëve, por për ta arritur duhet më shumë konsistencë dhe konkretësi,” – tha Bierhoff.

Ish-sulmuesi, i njohur për aftësinë e tij të jashtëzakonshme me kokë, shprehet se futbolli modern ka humbur disi këtë tipar: “Sot nuk ka shumë qendërsulmues të fortë në lojën ajrore, as në Gjermani. Vitet e fundit është investuar më shumë te qarkullimi i topit dhe organizimi, por besoj se shumë shpejt do të kthehemi pas. Përballë mbrojtjeve të mbyllura, duhet dikush që e zgjidh situatën me një kros apo top të lartë.”

Në listën e mundshme të Milanit për sulmin përmenden Hojlund dhe Vlahovic. “Hojlund-in nuk e njoh mjaftueshëm për të dhënë një gjykim, por Vlahovic e njeh mirë Serinë A dhe nuk do të kishte probleme përshtatjeje. Megjithatë, nuk mjafton vetëm të kesh një ‘9’ të fortë, duhet një ekip që luan për të, që krijon situata me krosime, pasime dhe manovër. Edhe unë, kur luaja, nëse skuadra ime nuk krijonte, nuk mund të shënoja.”

Bierhoff ka folur edhe për dy ish-shokë te Milani. Për Paolo Maldinin, ai thotë: “Paolo ka një karrierë të madhe dhe nuk mund të pritet që të rifillojë nga zero. Do ta shihja shumë mirë në rolin tim, në kombëtare, me përvojën që ka. Kudo të shkojë, duhet të ndihet i lirë të shprehë mendimin e tij.”

Sa i përket Gennaro Gattuso-s, aktualisht trajner i Italisë, Bierhoff shprehet i lumtur: “Jam i gëzuar për Rinon. Nuk ishte një emër i madh kur erdhi te Milani, por u rrit dhe u bë i madh. Do të më pëlqente të luaja për të… por mendoj se Rino duhet të kujdeset pak për peshën,” – shton me humor ish-‘bomberi’ gjerman.


sfidanti.al