Xhaka kapiten i Sunderland

Sunderland AFC ka zyrtarizuar sot emërimin e Granit Xhakës si kapiten të skuadrës për sezonin 2025-26. Mesfushori shqiptar nga Kosova, i njohur për lidershipin dhe karakterin e tij të fortë në fushë, do të udhëheqë ekipin në rikthimin e tij në Premier League.

Xhaka, i cili ka mbajtur më parë shiritin e kapitenit tek ekipe si Borussia Mönchengladbach dhe Arsenal, si dhe në disa ndeshje historike të Bayer Leverkusen-it, është kapiten i Zvicrës që nga viti 2020, duke grumbulluar një rekord prej 137 paraqitjesh me kombëtaren.

Në deklaratën e tij pas konfirmimit të lajmit, 32-vjeçari shprehu emocionet e forta për këtë përgjegjësi të re:

“Më bën jashtëzakonisht krenar të qenët kapiten i këtij klubi dhe i kësaj skuadre. Dua të tregoj lidership brenda dhe jashtë fushës, duke ndihmuar shokët e ekipit në stërvitje dhe në çdo aspekt të klubit. Të jesh pjesë e historisë së Sunderland-it, përkrah emrave që kanë mbajtur këtë shirit më parë, është një nder. Kush më njeh, e di çfarë të presë nga unë,  jam një fitues dhe dua të fitoj, dhe pres të njëjtën gjë nga të gjithë bashkëlojtarët e mi.”

Trajneri Régis Le Bris theksoi rëndësinë e këtij vendimi për sfidat që presin skuadrën në elitën e futbollit anglez:

“Në Premier League, do të jetë thelbësore të kemi vazhdimësi, maturi dhe përvojë. Graniti i ka të gjitha këto cilësi. Sjellja e tij deri tani ka qenë mbresëlënëse dhe në fushë shihet qartë niveli i tij i lartë. Lojtarët e tjerë ndiejnë ndikimin e tij dhe lidershipi i tij do të ndihmojë ekipin teksa përshtatemi me këtë mjedis të ri dhe përballemi me sfida e mundësi të reja. Roli i Granitit do të jetë pjesë e një strukture të re lidershipi që do të finalizohet pas mbylljes së merkatos.”

Me Xhakën si kapiten, Sunderland synon të ndërtojë mbi stabilitetin dhe forcën e karakterit, për të garantuar një sezon të suksesshëm në kthimin e tyre në ligën më të fortë në botë.