Legjenda e futbollit amerikan, Tom Brady, sot aksionar i klubit anglez Birmingham City, ka komentuar së fundmi mbi zhvillimin e futbollit (soccer) në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar nevojën për një fenomen si Lamine Yamal apo një Lionel Messi të ri, për ta çuar sportin në një tjetër nivel.
Në një intervistë për “Men In Blazers”, Brady u shpreh:
“Është një sport i mrekullueshëm, global, më i madhi në botë. SHBA ka nevojë për një talent të jashtëzakonshëm, një fenomen të vogël që të ndezë imagjinatën e tifozëve, siç është Lamine Yamal ose një Messi i ri. Do të sillte një revolucion kulturor të jashtëzakonshëm në futbollin amerikan.” Me Kupën e Botës që do të mbahet në SHBA në vitin 2026, Brady parashikon një atmosferë të papërshkrueshme në vend:
“Çdo stadium do të jetë i mbushur plot. Publiku amerikan e do futbollin.”
Brady vlerësoi gjithashtu ndikimin e David Beckham, një mik i vjetër i tij, në suksesin e futbollit në SHBA përmes Inter Miami-t dhe angazhimit të tij si pronar. Ai e quajti mbresëlënëse mënyrën se si Beckham e ka transformuar klubin, jo vetëm në fushë, por edhe përmes ndërtimit të një stadiumi të ri dhe zhvillimit të komunitetit lokal në Miami.
Në përfundim, Tom Brady theksoi se jeta e tij e re si aksionar në sport është një mundësi për të mësuar e për t’u rritur:
“Nuk ka mënyrë më të mirë për të kaluar nga karriera në fushë sesa të përfshihesh në drejtimin e klubeve sportive.”
Sfidanti.al