Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka shprehur dëshirën e tij për një qëndrim afatgjatë në ‘Old Trafford’, duke synuar të udhëheqë klubin për shumë vite dhe të rikthejë titullin e Ligës Premier në pjesën e kuqe të Manchesterit. Amorim, i cili ka edhe dy vite të mbetura në kontratë me mundësi për një vit shtesë, ka treguar ambicie të mëdha për të ndërtuar një epokë të re me ‘Djajtë e Kuq’, duke u frymëzuar nga mbretërimi legjendar i Sir Alex Ferguson.
“Dua të qëndroj, dua të qëndroj 20 vite. Ky është qëllimi im dhe unë vërtet besoj në këtë. Diçka do të ndodhë. Gjithmonë ndodh”, tha Amorim. Në vazhdim, ai theksoi se suksesi do të varet gjithmonë nga rezultatet dhe se është i përgatitur të nisë gjithçka nga e para për të fituar besimin e klubit dhe tifozëve.
“Në disa momente do të jem me fat. Kam pasur shumë fat gjatë karrierës sime si trajner dhe ideja ime është të qëndroj për shumë vite. Por përsëri, e dimë që rezultatet do ta diktojnë këtë. E di që sezonin e kaluar i përdora të gjitha meritat që kisha, por jam gati të filloj nga e para”.
Ai solli në kujtesë edhe fillimin e tij te Sporting, ku gjithashtu ishte nën dyshim, por arriti sukses përkundër pritshmërive të ulëta.
“Tek Sporting ishte e njëjta gjë. Ata thanë se brenda tre muajsh do të largohem. Ata thanë se kisha tre përqind shanse për të fituar titullin me Sporting. E di që presioni është i ndryshëm te United.”
Për fund, Amorim nënvizoi lidhjen emocionale me klubin dhe qëllimin për të ndërtuar një projekt të gjatë dhe të qëndrueshëm në ‘Old Trafford’.
“Por nuk më pëlqen të ndërroj klube. Më pëlqen të lidhem me njerëzit dhe të vazhdoj përpara. E di që tingëllon çmenduri, por zgjodha këtë klub. Kisha ndjesinë dhe thjesht dua të lidhem, të jem pjesë e tij dhe do të qëndroj këtu”, ka thënë Amorim.
sfidanti.al