Wanda Nara, e njohur për jetën e saj të bujshme në media dhe për lidhjen e gjatë me Mauro Icardin, ka rikthyer vëmendjen e medieve rozë me një deklaratë të papritur. Teksa procesi i divorcit me ish-sulmuesin e njohur vijon të jetë aktiv, Wanda ka zbuluar se është duke komunikuar me një futbollist që aktualisht po merr pjesë në Botërorin për Klube.
Në një lidhje telefonike me emisionin argjentinas Tarde de Tertulia, Wanda deklaroi: “Kur zgjohem, kam dhjetëra mesazhe në WhatsApp. Po ndjek Botërorin për Klube, por me një interes të veçantë… Po flas me një djalë që po luan aty. Kush është? Nuk do ta merrni vesh kurrë.” Deklarata ndezi rrjetet sociale, ku nisën menjëherë spekulimet mbi identitetin e lojtarit misterioz. Disa ndjekës besojnë se ai mund të jetë pjesë e Paris Saint-Germain, pasi Wanda është parë së fundmi në Munih, në finalen e Champions League, ku PSG fitoi me rezultat të thellë ndaj Interit.
Ndërkohë, vetë Nara ka mohuar zërat që e lidhnin me Achraf Hakimin, duke i quajtur thashetheme të pabaza. Pavarësisht gjithçkaje, një gjë është e qartë: Wanda është rikthyer në qendër të vëmendjes dhe, si zakonisht, nuk mungojnë as intrigat.
sfidanti.al