Bayern Munich ka mposhtur Borussia Mönchengladbach me rezultatin 2-0 në ‘Allianz Arena’, në një mbrëmje që për Harry Kane do të mbetet përgjithmonë në kujtesë. Sulmuesi anglez jo vetëm që shënoi golin e tij të 25-të në Bundesligë në minutën e 31-të, por mbi të gjitha, më në fund arriti të ngrejë në qiell trofeun e tij të parë në karrierë. I përmbytur nga birra, në një traditë të zakonshme festimesh në Gjermani, pasi u ndoq dhe u spërkat nga bashkëlojtarët, Kane mbajti në duar çfarë i kishte munguar për plot 24 vite futbolli: një trofe zyrtar. Në një intervistë për ‘Sky Sports’ DE, 31-vjeçari u shpreh me emocione të forta: “Një ndjesi e pabesueshme… ia ka vlejtur pritja. Ka qenë shumë punë e vështirë, shumë sakrifica ndër vite, për momente si ky. Tani, po e shijoj çdo sekondë me skuadrën dhe me tifozët”. Kane kishte humbur gjashtë finale më parë: tri me Tottenhamin, dy me kombëtaren angleze dhe një me vetë Bayernin. Por mallkimi u thye. Ai shtoi: “Do ta shijojmë këtë moment, por shpresojmë që ky të jetë vetëm i pari nga shumë të tjerë. Kemi një skuadër të madhe, një trajner të shkëlqyer si Vincent Kompany, dhe ndiejmë se po ndërtojmë diçka të rëndësishme. Mezi po i presim sfidat”.
Si për ironi të bukur të fatit, edhe ish-shoku i tij te Tottenham-i, Eric Dier, që iu bashkua së fundmi Bayern-it, festoi trofeun e tij të parë në karrierë. Tashmë, një dyshe që për vite kërkonte lavdinë në Londër, e ka gjetur më në fund atë në Mynih – dhe e ka shndërruar një mallkim të vjetër në një kujtim të bukur.
sfidanti.al