Antony është kthyer në një nga sensacionet më të mëdha të La Ligës këtë sezon. Me cilësinë e tij në fushë, golat dhe empatinë ndaj tifozëve, ai ka arritur të fitojë zemrat e publikut të Real Betis-it. Klubi andaluzian tashmë po punon për të gjetur mënyrën që ta mbajë brazilianin në skuadër edhe për të ardhmen.
Në një intervistë për emisionin “Universo Valdano” në Movistar+, Antony ka rrëfyer për jetën e tij të vështirë dhe fillimet në São Paulo. Ai ka lindur në një lagje të varfër, por kujton me dashuri atë kohë: “Gjithmonë më ka mahnitur thjeshtësia dhe përulësia e njerëzve, pavarësisht se sa e vështirë ishte jeta.”
Braziliani u shpreh mirënjohës për mbështetjen e familjes së tij: “Mamaja dhe babai gjithmonë më kanë treguar rrugën e duhur. Unë kam qenë gjithmonë një fëmijë këmbëngulës, që besonte në ëndrrën e vet.”
Vështirësitë nisën që në lindje
Antony u përball me sfida që nga lindja. Ai erdhi në jetë para kohe, në muajin e shtatë të shtatzënisë, dhe mjekët menduan se mund të humbiste jetën ai ose nëna e tij. “Falë Zotit, të dy jemi mirë, por vështirësitë nisën që kur linda,” tha ai. Jorge Valdano komentoi me shaka: “Prandaj arrin gjithmonë para kundërshtarëve në zonë, sepse edhe i vogël arrije më herët.”
Historia e Antony është një shembull frymëzues për të rinjtë dhe për vetë futbollin spanjoll, ku tashmë po shkëlqen jo vetëm si lojtar, por edhe si simbol i përulësisë dhe këmbënguljes.
sfidanti.al