Manchester City ka gjetur pasardhësin e Ederson

Manchester City po shikon nga e ardhmja dhe ka vendosur në shënjestër Diogo Costa-n, portier i Portos dhe titullar i kombëtares portugeze. Sipas asaj që raporton Sky Sports UK, klubi anglez dëshiron të forcojë repartin e portierëve për sezonin e ardhshëm, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me Ederson-in, i cili ka një të ardhme të pasigurt në Manchester.

Portieri brazilian prej kohësh është në radarin e klubeve nga Arabia Saudite, të cilat mund të paraqesin një ofertë konkrete gjatë merkatos së verës. Në këtë kontekst, profili i Costa-s shihet si një nga opsionet kryesore për Citizens. 25-vjeçari konsiderohet një nga portierët më të mirë në Evropë, me 34 paraqitje për Portugalinë dhe afër 200 ndeshje me fanellën e Portos.

Edhe disa klube të tjera të mëdha europiane kanë shfaqur interes për numrin 1 portugez, ndërkohë që vlera e tij në treg vazhdon të rritet. Një faktor që mund të lehtësojë operacionin është fakti se Diogo Costa dhe Ederson kanë të njëjtin agjent, Jorge Mendes, i cili ka marrëdhënie të mira si me Manchester City-n, ashtu edhe me Porton.

Manchester City po e ndjek nga afër situatën, në pritje të ndonjë zhvillimi të mundshëm për shitjen e Ederson-it, por ndërkohë po përgatit terrenin për një sulm të mundshëm ndaj Costa-s, i cili mund të bëhet siguria e re mes shtyllave të ‘Etihad Stadium’.

sfidanti.al