Asprilla grabitet në Kolumbi

Tino Asprilla është grabitur në Kolumbi dhe ka regjistruar një video për të paralajmëruar të gjithë të njohurit e tij për përdorimin mashtrues që grabitësit po bëjnë me celularin e tij, por edhe për t’iu drejtuar drejtpërdrejt këtyre të fundit: “Do t’ju gjej”, tha ish-sulmuesi i Parmës, sot 55-vjeçar. Ngjarja po bën shumë zhurmë, sepse ka ndodhur në një vend që supozohet të jetë nga më të sigurtit, pra pranë Prokurorisë së Përgjithshme të kryeqytetit, Bogotà.

Asprilla rrëfen grabitjen: “Ma rrëmbyen telefonin nga dora”

Asprilla kishte qenë viktimë e një grabitjeje edhe në vitin 2021 dhe, ashtu si atëherë, edhe tani ka përdorur rrjetet e tij sociale shumë të ndjekura për të denoncuar ngjarjen dhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj kushteve aktuale të pasigurisë që përjetohen në Kolumbi. Rreth mesditës së së mërkurës, në profilet e tij në Instagram dhe X, ish-lojtari i përfaqësueses “cafetera” publikoi një video ku tregoi gjithçka: “Sot në mëngjes u grabita: isha duke folur në telefon, po ecja, kisha lënë makinën përpara Prokurorisë. Një person me motor hipi mbi trotuar, ma rrëmbeu telefonin nga dora dhe nuk pata kohë të reagoja”.

Grabitja ndaj ish-sulmuesit Asprilla nuk ka të bëjë vetëm me celularin – atij i kanë vjedhur edhe të dhënat personale për të mashtruar të tjerë në emrin e tij, gjë që tashmë i ka ndodhur mikut të tij më të mirë dhe disa personave të tjerë që janë kontaktuar: “Telefoni është i fikur, por ata kanë marrë kartën SIM dhe nga aty po marrin numrat e kontakteve të mi dhe po kërkojnë para – tha Tino – Mos u jepni para askujt, unë nuk kam kërkuar para nga askush. Mos më dërgoni para, nuk kam nevojë për to, nuk jua kam kërkuar kurrë. Është një grabitje. I kanë grabitur tashmë një mikun tim, një mjek, dhe shumë persona të tjerë po bëjnë kallëzim penal. Ju lutem, fshini atë numër, po e përdorin nga një telefon tjetër”.

sfidanti.al