Pas përfundimit të epokës së shkurtër të Thiago Mottas- në stol, Kenan Yıldız është rikthyer në qendër të projektit të Juventusit. Talenti i ri turk, i lindur në vitin 2005, shihet si një nga gurët e themelit për të ardhmen e klubit bardhezi. Edhe vetë lojtari ka ide të qarta: dëshiron të qëndrojë në Torino dhe të bëhet pjesë e historisë së Juves, duke ndihmuar në ndërtimin e një skuadre fituese që mund të kthejë klubin në majat e futbollit europian. Sipas Tuttosport, drejtuesit e klubit ndajnë të njëjtin vizion me futbollistin, por gjithçka mund të marrë një kthesë të papritur nëse Juventusi nuk arrin të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Ky është objektivi minimal sezonal dhe, në rast dështimi, klubi mund të detyrohet të marrë vendime të dhimbshme në merkato, përfshirë ndoshta edhe shitjen e Yıldız-it. Gjithsesi, aktualisht situata në selinë bardhezi është e qartë: pavarësisht interesimit të fshehtë të Bayern-it, as klubi dhe as lojtari nuk kanë ndërmend të ndryshojnë planet. Turko-gjermani ndihet mirë në Torino dhe nuk është i joshur nga një rikthim në Bundesligë, edhe pse ruan lidhje të forta me komunitetin turk në Gjermani.
Për Juventusin, Yıldız është shumë më tepër se një talent premtues, ai përfaqëson një projekt të ri, një vizion afatgjatë. Por nëse mungojnë të ardhurat nga Champions League, klubi mund të tundohet nga ideja për të realizuar një plusvalencë të rëndësishme, siç ndodhi me qendërmbrojtësin Huijsen, i cili u transferua te Bournemouth për 15.2 milionë euro plus bonuse dhe një përqindje mbi shitjen e ardhshme, një tjetër objektiv i Bayern-it.
Megjithatë, gjithçka do të varet nga renditja përfundimtare dhe nëse Juventusit do t’i sigurohet bileta për Europën elitare. Në të kundërt, merkatoja e verës mund të sjellë vendime të papritura edhe për numrin 10 bardhezi.
sfidanti.al