Drama mes Wanda Narës dhe Mauro Icardit vazhdon të pushtojë faqet e para të mediave rozë, teksa tani në qendër të vëmendjes është sërish Keita Baldé, aktualisht sulmues i Monzës. Lidhja e tij me Wandën, e cila tashmë është zyrtarisht në platformën OnlyFans, vazhdon të prodhojë lajme – dhe këtë herë me përfshirjen edhe të kartës së kreditit të Icardit.
Sipas programit argjentinas “El Ejercito de la Mañana”, Wanda ka blerë dy orë Rolex për Keita Baldé, të cilat, sipas pretendimeve, i ka paguar me kartën e kreditit të Icardit. Një zbulim që, siç pritet, nuk do t’i pëlqejë aspak ish-sulmuesit të Interit. Pak kohë më parë, në muajin shkurt, Keita Baldé ishte i ftuar në emisionin italian Verissimo, ku publikisht kërkoi falje ndaj bashkëshortes së tij për tradhtinë me Wandën, duke pretenduar edhe se kishte ngritur padi kundër argjentinases për këtë çështje.
Ndërkohë, përplasja mes Wandës dhe Icardit ka kaluar në një tjetër nivel, tashmë ligjor. Në mars, Gjykata e Milanos pranoi kërkesën për divorc të paraqitur nga Icardi dhe tani procesi gjyqësor do të vazhdojë për të përcaktuar detaje të rëndësishme rreth ndarjes së pasurisë (përfshirë prona dhe sende me vlerë), si dhe çështjen e pensionit ushqimor për vajzat e tyre. Një sagë që duket se është larg fundit dhe që përfshin dashuri, tradhti, luks dhe betejë ligjore – perfekte për kronikën rozë.
sfidanti.al