Ish-mbrojtësi i njohur italian, Gianluca Zambrotta, ka folur së fundmi për një nga veçoritë më të komentuara fizike të tij gjatë karrierës si futbollist – këmbët e harkuara. Në një intervistë në podcastin e Gianluca Gazzoli-t, legjenda e Juventusit dhe Milanit ka treguar se problemet me gjunjët kanë ardhur si pasojë e mungesës së meniskëve të brendshëm.
“Gjatë karrierës sime nuk kam pasur dëmtime të mëdha, por jam operuar tri herë te meniskët e brendshëm dhe sot nuk i kam më – as në të majtë, as në të djathtë”, – tregoi Zambrotta.
“Me kalimin e kohës këmbët m’u harkuan dhe sot jam si model në laborator për shumë kirurgë. Më shikojnë dhe më pyesin si arrij të eci kështu. Problemi është përkeqësuar me kohën, për shkak të një predispozite gjenetike, por edhe mungesës së meniskëve. Ndoshta do të duhej të kisha vepruar më herët…”
Sot 48 vjeç, Zambrotta tha se së shpejti do të duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale për të përmirësuar situatën e tij:
“Do të operohem në të dy gjunjët. Kam vizituar tre apo katër kirurgë të rëndësishëm në nivel kombëtar dhe asnjëri nuk e kupton se si arrij të bëj aktivitet fizik – si për shembull të luaj padel – me këto gjunjë. Do të bëj një osteotomi, që do të thotë se do të më drejtojnë këmbët duke prerë pjesë të vogla të kockave sipër dhe poshtë gjurit dhe do të më vendosin pllaka për të shmangur për momentin një protezë të plotë. Megjithatë, edhe ajo do të jetë e pashmangshme pas disa vitesh.”
Një rrëfim i sinqertë nga një prej lojtarëve më të dashur të kombëtares italiane, që edhe pas përfundimit të karrierës, vazhdon të përballet me pasojat fizike të futbollit profesionist.
sfidanti.al