Që nga finalja dramatike e Kampionatit Botëror 2022, ku Argjentina mposhti Francën me penallti, portieri Emiliano Martínez ka qenë në qendër të polemikave për sjelljen e tij – si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Kritikët më të ashpër kanë ardhur kryesisht nga Franca, vendi që përjetoi nga afër provokimet e tij në atë ndeshje të paharrueshme. Së fundmi, Emmanuel Petit, ish-kampion bote me Francën në vitin 1998, është bashkuar me korin e kritikëve, duke shprehur zemërimin e tij ndaj qëndrimit të portierit argjentinas – veçanërisht për paraqitjen e tij në Paris me një kapelë ku ishin stampuar të gjitha trofetë e fituara nga Argjentina. “Ai tha në një intervistë se nuk e kalon kurrë kufirin. Sipas meje, ai ka nevojë për psikoterapi, duhet të këshillohet me një psikiatër, sepse nuk kemi të njëjtën përkufizim për atë që do të thotë të kalosh kufirin”, – deklaroi Petit në podcastin ‘Rothen’s enflamme’. Ish-mesfushori nuk e mohon talentin e Martínez si portier, por mendon se sjellja e tij shpesh dëmton imazhin personal:
“Ai është një portier shumë i mirë, nuk ka pse të mbivlerësojë çdo ndeshje me gjeste të ekzagjeruara. Kudo që shkon, lë një përshtypje negative, një sjellje irrituese. Mjaft më. Jam i pari që pranoj se provokimet janë pjesë e futbollit dhe e jetës, por ai nuk mund të bjerë gjithmonë në fyerje apo teprime.”
Këto komente vijnë në prag të sfidës mes Aston Villa dhe PSG, ku Martínez pritet të jetë në qendër të vëmendjes, jo vetëm për pritjet e tij, por edhe për sjelljen që, për disa, ka kaluar çdo cak të pranueshëm.
sfidanti.al