Calafiori: Në Premier League kam ndryshuar shumë

Në një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të Arsenalit, mbrojtësi Riccardo Calafiori foli për përvojën e tij në Angli dhe për mënyrën se si është përshtatur me jetën në Londër pas transferimit të tij verën e kaluar.

“Është gjithçka ndryshe, gjithçka!” – tha 22-vjeçari. “Duke filluar nga qyteti, që është i madh, e deri te çdo gjë tjetër me të cilën isha mësuar. Këtu ka shumë mundësi, shumë gjëra për të bërë nëse dëshiron, por për shkak të orarit të ngjeshur të ndeshjeve në Angli, ndonjëherë thjesht dëshiron të pushosh dhe të qëndrosh në shtëpi”.

Lidhur me përparimin e tij, ai u shpreh: “Kam ndryshuar shumë, tani jam një person krejtësisht ndryshe. Për shembull, tani jetoj vetëm, ndërsa vitin e kaluar jetoja me ish të dashurën time, kështu që gjithçka është ndryshe edhe në shtëpi. Kam filluar të luaj kitarë, kam hobi të rinj – kam ndryshuar shumë. Më pëlqen të mësoj gjëra të reja. Nëse shoh diçka që duket e vështirë, dua ta mësoj, prandaj edhe fillova me kitarën”.

Ndryshimet në fushë: “Ka pasur shumë, sidomos në pozicionin tim në fushë, pasi vitin e kaluar luaja më shumë si qendërmbrojtës,” – pranoi ai. “Gjatë gjithë karrierës sime kam luajtur kryesisht si mbrojtës i majtë, por sezoni im më i mirë ishte ai i kaluari, kur luajta në qendër të mbrojtjes. Pra, kam ndryshuar shumë, por më pëlqen fakti që mund të luaj në të dyja pozicionet, e ndoshta edhe në ndonjë tjetër, kush e di. Megjithatë, stili im i lojës nuk ka ndryshuar shumë. Gjërat që bëj tani si mbrojtës i majtë, i bëja edhe kur isha qendërmbrojtës, sidomos në fazën sulmuese. Kj ishte një nga arsyet kryesore pse vendosa të vija këtu”.

Ndryshimet në stërvitje: “Edhe stërvitja këtu është shumë ndryshe. Kalojmë më pak kohë në fushë, por është shumë më intensive, gjithçka është më intensive! Në fillim e pata të vështirë, por tani jam mësuar dhe më pëlqen. Mendoj se stërvitja është ndryshe kudo që luan, madje edhe brenda Premier League, stërvitja te Arsenali do të jetë shumë ndryshe nga ajo e klubeve të tjera. Idetë, trajnerët, mënyra se si duan të luajnë dhe të stërviten, bëjnë një ndryshim të madh”.

sfidanti.al