Talisca goditet me një shishe ujë në kokë e rrëzohet

Epo, mirë sepse shënoi, por aspak mirë sepse “festoi” golin duke u goditur me një shishe në kokë, gjë që e rrëzoi në tokë duke ndier dhimbje të forta. Ndeshja e Anderson Talisca kundër Fenerbahçes– e treta për të me ekipin e José Mourinhos pas transferimit të tij të fundit nga Al Nassr i Cristiano Ronaldos – ishte plot kontraste. Megjithatë, në fund, fitorja 2-0 mbetet, dhe fatmirësisht 31-vjeçari brazilian nuk pësoi ndonjë dëmtim serioz. Pamjet e disa videove të regjistruara nga tribuna e stadiumit të Alanyasporit tregojnë jo vetëm gjestin e pahijshëm të tifozëve vendas, por edhe reagimin absurd të Fred, i cili, në vend që të shqetësohej për shokun e tij të shtrirë në dhimbje, e festoi edhe më me zjarr, duke provokuar më tej tifozët kundërshtarë.

Fenerbahçe luajti të dielën në transfertë ndaj Alanyasporit, me objektivin për të mos humbur terren ndaj Galatasarayt, i cili pritet ta marrë një fitore në tavolinë pas kaosit në ndeshjen kundër Adana Demirspor. Ky takim u ndërpre pasi ekipi mysafir braktisi fushën në shenjë proteste, për shkak të një penalltie të dhënë pas një simulimi të pastër të Mertens. Kjo situatë ka nxehur më tej klimën në Super Ligën turke, pas akuzave të forta të Mourinhos mbi favorizimet e hapura ndaj Galatasarayt. Gjithsesi, skuadra e “Special One” siguroi një fitore të pastër 2-0 ndaj Alanyasporit, falë golave të Szymanski dhe Talisca, të dy të shënuar në pjesën e parë. Fenerbahçe mbetet 6 pikë prapa kryesuesve, duke marrë parasysh fitoren e sigurt në tavolinë të Galatasarayt. Pas golit të dytë të Talisca, të shënuar në minutën e 42-të, ndodhi incidenti skandaloz: ish-lojtari i Benficës, Besiktasit dhe Guangzhou festoi pranë një sektori të mbushur me tifozë vendas. Njëri prej tyre e goditi me një shishe uji, duke e qëlluar në pjesën e pasme të kokës dhe duke e rrëzuar në tokë. Nga një moment dramatik, situata u shndërrua në diçka surreale, për shkak të reagimit të pabesueshëm të Fred: ish-mesfushori i Manchester United dhe bashkëkombësi i Talisca, në vend që të interesohej për shokun e tij të skuadrës dhe të qetësonte tifozët vendas, filloi të festonte edhe më me pasion, duke i provokuar ata me gjeste të ekzagjeruara dhe duke rrahur gjoksin në mënyrë sfiduese. Një sjellje absurde dhe e papërgjegjshme, e cila për fat të mirë nuk e përshkallëzoi edhe më tej situatën tashmë të tensionuar. Talisca pati nevojë për ndihmë mjekësore, por arriti të rikthehej në fushë përpara se të zëvendësohej në minutën e 70-të. Në rikthimin e tij në Turqi pas 6 vite e gjysmë, sulmuesi brazilian ka treguar se është ende një makineri golash, ashtu si gjatë gjithë karrierës së tij. I shpërfillur nga kombëtarja braziliane, ai ka shënuar në të gjitha kampionatet ku ka luajtur. Me Fenerbahçen, ai e ka nisur sezonin me 2 gola në 3 ndeshje, një ndihmë e madhe për ambiciet e Mourinhos.

sfidanti.al