Finalja e Kupës së Argjentinës ndërmjet Vélez Sarsfield dhe Central Córdoba u mbyll me një skenë kaotike, kur pas vërshëllimës së fundit që shpalli fitues Centralin, disa lojtarë të Vélez u hodhën në tribunë duke nisur një përleshje masive. Arsyeja? Mbrojtja e familjarëve të tyre që ishin sulmuar nga tifozët e Vélez, të frustruar nga humbja. Fyerjet dhe shtyrjet çuan në një përplasje të dhunshme, e cila përfundoi vetëm pasi ndërhyri siguria, por dy bashkëshorte lojtarësh mbetën me trauma dhe lëndime të lehta.
Një situatë e pastër kaosi, e nxitur nga zemërimi për humbjen e një trofeu. Në fushën neutrale të Estadio 15 de Abril në Santa Fe, të mërkurën më 11 dhjetor, u zhvillua finalja e Kupës së Argjentinës 2024, ku Central Córdoba triumfoi 1-0 ndaj Vélez. Pas ndeshjes, mes më shumë se 27 mijë tifozëve në tribuna, ndërsa tifozët e Cordobës festonin, shpërtheu kaosi në zonën ku ishin ulur familjet e lojtarëve të Vélez. Ata u sulmuan me fyerje dhe shtyrje nga tifozët e Vélez, dhe situata eskaloi në një përleshje masive kur lojtarët ndërhynë për të mbrojtur familjarët e tyre.
Incidenti filloi kur një nga familjarët kritikoi tifozët e Vélez për fyerjet ndaj lojtarëve, duke nxitur një debat që shpejt u kthye në përleshje. Pamjet tregojnë të paktën 5 lojtarë të Vélez (përfshirë Randall Rodríguez, Elías Gómez, Braian Romero, Agustín Bouzat, Tomás Guidara dhe Rodrigo Piñeiro) që përplasen fizikisht me tifozët. Situata shkaktoi panik, por përfundoi vetëm me disa lëndime të lehta, përfshirë dy bashkëshorte të lojtarëve që pësuan kontuzione dhe trauma.
Finalja e Kupës së Argjentinës u vendos nga një moment magjik që i dha Central Córdoba-s triumfin e parë historik në këtë garë. Goli vendimtar erdhi nga Matías Godoy, i cili në minutën e 53-të realizoi një perlë të vërtetë. Ai avancoi në krahun e djathtë dhe nga këndi i zonës dërgoi një goditje që dukej si krosim, por përfundoi si një hark perfekt në trekëndëshin e portës. Ky supergol ndezi festën për Central Córdoba dhe tifozët e saj.
sfidanti.al