Marcel Desailly është shkatërruar nga problemet ekonomike jashtë fushës së futbollit dhe ka mbetur pa të ardhura. Ish-lojtari i Milan dhe Chelsea, kampion bote dhe Europe me Francën e tij, po përballet me telashe serioze me autoritetet tatimore që pritet ta çojnë së shpejti në gjykatë. Një rënie drastike financiare ka ndodhur pas tërheqjes së tij nga futbolli, 20 vite më parë, duke e lënë sot praktikisht të falimentuar, pa para dhe me detyrimin për të njohur një vajzë 10-vjeçare. Sipas asaj që raporton Le Parisien, të martën e ardhshme në Paris, Desailly do të dalë para gjykatës për të njohur vajzën e tij të fundit biologjike, Victoria, të lindur nga lidhja me Cosma Batista de Alcantara (partnerja e tij nga viti 2010 deri në 2018). Përveç kësaj, ai do të duhet t’i paguajë asaj edhe ushqimin, pavarësisht situatës së tij financiare katastrofike. Gazeta franceze ka hetuar mbi gjendjen e tij financiare duke biseduar me ish-partneren e tij, e cila ka qenë mjaft e drejtpërdrejtë: “Që kur e kam njohur, gjithmonë ka pohuar se nuk ka asnjë qindarkë,” ka thënë ajo. Aktualisht, Desailly nuk ka asnjë të ardhur. Të ardhurat e fundit që ka pasur ishin nga puna si opinionist sportiv për BeIN Sports, ku fitonte rreth 8,600 euro në muaj, por që nga gushti ai ka mbetur pa kontratë. Përveç kësaj, Desailly duhet të shlyejë borxhet ndaj autoriteteve tatimore franceze pas një gjobe të marrë në vitin 2022 për shmangien e taksave mbi të ardhurat midis viteve 2011 dhe 2019. Ai është i detyruar të paguajë 5,000 euro çdo muaj për të ulur borxhin e tij. Situata e tij ekonomike është aq e rëndë sa ish-lojtari është detyruar të shesë pronën e tij për të mbuluar shpenzimet e mirëmbajtjes për katër fëmijët e tij të ligjshëm dhe për Aidan, një vajzë e lindur në 1990, të cilën ai nuk e ka njohur kurrë.
sfidanti.al