Roy Keane ikën nga intervista e përplaset me tifozin e Ipswich

Debutimi te Manchester United i Ruben Amorim fillon me një barazim në shtëpinë e Ipswich. Përfundoi 1-1 sfida e “Djajve të Kuq”, të cilëve nuk u mjaftoi një gol i Rashford. Ish-trajneri i Sporting Lisbonës do të ketë kohë për të punuar me ekipin, por ndërkohë ai që nuk ka dashur të presë asnjë minutë është Roy Keane. Ish-kapiteni i United, tashmë prej kohësh opinionist në Sky Sports, është shpesh i pranishëm në fushat e Premier League, siç ishte edhe në ndeshjen e djeshme. Pikërisht në shtëpinë e Ipswich, pas përfundimit të ndeshjes, ndodhi një incident që ndezi situatën. Legjenda irlandeze e United ka qenë për dy vite trajner i Ipswich, nga viti 2009 deri në 2011, duke fituar vetëm 28 nga 81 ndeshjet e tij. Ai u shkarkua në mes të sezonit 2010/11 kur Ipswich renditej në vendin e 21-të në Championship. Në një video që është bërë virale në rrjetet sociale, shihet Keane duke lënë tavolinën e Sky Sports dhe duke shkuar drejt vijës anësore, ku po e priste një tifoz. Keane iu afrua dhe filloi të flasë me tone të ashpra, duke gjestikuluar me dorë. Të dy filluan të shkëmbejnë fyerje derisa dëgjohet t’i thotë: “Të pres në parkim.”Keane nuk u intimidua nga ajo “f** you, Keane”* dhe iu përgjigj duke e ftuar tifozin jashtë stadiumit. Dukej si një takim ballë për ballë mes tyre. Në të njëjtën kohë, edhe tifozë të tjerë të Ipswich iu afruan për t’u përballur me ish-trajnerin, duke e sulmuar me fyerje të shumta. Keane iu përgjigj në mënyrë të ashpër, duke u kërkuar të largohen. Situata u përshkallëzua aq shumë, saqë dikush nga produksioni i Sky Sports ndërhyri për ta larguar Keane dhe për të shmangur një përplasje më të madhe.

sfidanti.al