Salah parakalon Robbie Fowler

Ndërsa e ardhmja e tij në “Anfield” mbetet në ajër, Mohamed Salah vazhdon të jetë referencë e shkëlqyer për Liverpoolin. Këtë të shtunë, ‘Faraoni’ e mbajti edhe një herë skuadrën mbi supe për të arritur një fitore kyçe, që e kthen skuadrën në krye të Ligës Premier. Fitorja kundër Brightonit, e kombinuar me dështimin e Manchester City-t, i lejon Liverpoolit të jetë në krye të renditjes falë gjeniut Mohamed Salah, i cili ka qenë gur themeli i Liverpoolit të Arne Slot gjatë gjithë këtij sezoni. Deri më tani në këtë sezon, Mo Salah ka kontribuar me tetë gola dhe shtatë asistime në të gjitha garat. Goli kundër Brightonit është i gjashti në këtë sezon, në Premier League, dhe shënon një rritje historike. Ky gol kundër “Pulëbardhave” ishte 164-ti për Salah në Premier League, duke kaluar rekordin e Robbie Fowler, i cili shënoi 163 gola. Salah tani është golashënuesi i tetë më i mirë në historinë e Premier League-s dhe është nëntë gola larg barazimit të Thierry Henry (175) dhe 11 gola larg Frank Lampard (177) për të qenë golashënuesi i gjashtë më i mirë në histori në elitën e futbollit anglez.

sfidanti.al