Van Dijk: Humbje e papranueshme, do të reagojmë kundër Milanit

Kapiteni i Liverpulit, Virgil van Dijk, ka pranuar se performanca e ekipit të tij kundër Notingem Forestit nuk ishte e pranueshme. “Reds” pësuan humbjen e parë me Arne Slotin në stol pasi u mundën 1-0 në shtëpi nga miqtë, me Kallëm Hadson-Odoin që shënoi në minutën e 72-të. Kjo ishte vetëm humbja e tretë e Van Dijk në 101 ndeshje të Premier Ligës në “Anfield” dhe është diçka që ai nuk dëshiron të ndodhë më. “Të gjithë po kthehen nga vende të ndryshme dhe po luajnë në mënyra të ndryshme, por prapë mendoj se edhe pse nuk ishim në maksimum, krijuam raste dhe duhej të kishim bërë më mirë”, tha mbrojtësi holandez pas ndeshjes. “Është një paraqitje me të cilën padyshim nuk jemi të kënaqur dhe presim shumë më mirë nga vetja. Humbja në shtëpi është padyshim diçka që nuk mund të ndodhë, por ne duhet ta kthejmë atë shumë shpejt”.

Qendërmbrojtësi shtoi: “Për mendimin tim ne kemi një grup shumë të mirë që me të vërtetë e kuptojnë se dita e sotme ishte e papranueshme, zhgënjyese dhe ne të gjithë e dimë se të gjithë mund të bëjnë më mirë, dhe e vetmja mënyrë për ta treguar këtë është të martën kundër Milanit. Kjo është ajo në të cilën do të fokusohemi. Kemi kaluar humbje dhe momente të vështira së bashku dhe mendoj se duhet të qëndrojmë të qetë dhe do të qëndrojmë të qetë. Ne kemi nevojë për të gjithë skuadrën.Të gjithë e dimë se pas pushimit ndërkombëtar do të jetë një ndeshje çdo tri ditë, kështu që ne kemi nevojë për të gjithë në formën më të mirë”.

Rezultati i së shtunës e lë Liverpulin tri pikë pas Cityt, në vendin e dytë në tabelën e Premier Ligës, me djemtë e Pep Guardiolës që kanë ruajtur startin e tyre perfekt të sezonit me një fitore 2-1 ndaj Brentfordit. Skuadra e Slot do të kërkojë t’i rikthehet rrugës së fitoreve kur të përballet me Milanin në transfertë në Ligën e Kampioneve të martën.

 

sfidanti.al